Ditët e Evropës, autobusi me stafin e BE ndalon në tiranë: Integrimi “varet” nga bashkitë
Pas 7 qytetesh, autobusi me stafin e ambasadës së Bashkimit Evropian ndaloi të dielën në Tiranë.
Me mbërritjen e tij tingujt e muzikës tradicionale shqiptare pushtuan sheshin Skënderbej ndërsa grupit të kërcimtarëve për pak çaste iu bashkuan edhe disa prej ambasadorëve të BE-së.
Kreu i delegacionit Luigi Soreca theksoi se vizitat në disa prej bashkive të vendit kanë për qëllim informimin e stafeve të këtyre të fundit mbi rëndësinë që ato do të kenë në zbatimin e legjislacionit të BE gjatë procesit të integrimit.
"Ideja ishte që ne në fund të fundit të tregojmë se ne jemi një skuadër BE. Ideja ishte të tregojmë se çfarë ka bërë BE-ja, se çfarë do të bëjë në vijim për Shqipërinë. Në fokusin tonë ishte që të vizitoninm sa më shumë bashki të ishte e mundur."
Drejtorja e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural tha se gjatë dy viteve të fundit edhe përmes mbështetjes së BE janë investuar në bujqësi 120 milionë euro.
Në Sheshin Skënderbej Ambasadori Soreca u ndal në disa prej stendave nga ku promovoi mbështetjen e Bashkimit Evropian kryesisht për bujqësinë, kulturën, arsimin e shëndetin.
"Bashkitë do të bëjnë 70% të punës për të çuar në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ideja ishte që të vinim dhe të tregonim se ç’kemi bërë pas tërmetit, për shkollat dhe trashëgiminë kulturore. Do të vizitojmë shumë shkolla. Do të restaurohet edhe mozaiku tek Muzeu Kombëtar."
Në kuadër të ditëve të Evropës delegacioni i BE do të vizitoj disa qytete për ta përmbyllur turin dy javor në datën 29 Maj në Konispol.


