Basha: Ata që nuk besojnë masakrën e 25 prillit nga regjimi Rama-Doshi të vijnë në Elbasan

"25 prilli ishte masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm."

Kështu u shpreh kryedemokrati, Lulzim Basha sot gjatë një takimi me simpatizantë në qytetin e Elbasanit.

Basha tha se ata që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, u kërkoi që të vijnë në Elbasan.

Basha: Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit.

Basha theksoi se prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit.

Basha: Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit. Atyre që pyesin pse nuk jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Edi Ramën, ju them ejani në Elbasan. Ejani dhe shikoni se si janë bërë njësh pushteti me krimin, krimi me pushtetin. Siç e ka thënë dikur gjyqtari i famshëm anti-mafia, Paolo Borselino, “krimi dhe politika ushtrojnë kontrollin mbi të njëjtën hapësirë. Ato nuk mund të jenë në paqe me njëra-tjetrën, por vetëm në luftë me njëra-tjetrën ose përndryshe njëra prej tyre ka fituar”.