Mbretëresha britanike hap sezonin parlamentar, dalja e parë në publik pas vdekjes së bashkëshortit
Mbretëresha e Britanisë, Elizabeta e Dytë, ka dalë për publikun për herë të parë që pas vdekjes së bashkëshortit, Filip. Monarkja 95-vjeçari hapi sezonin e ri të parlamentit dhe prezantoi programin politik të qeverisë.
Mbretëresha Elizabeta e Dytë hapi të martën sezonin e ri të parlamentit britanik, duke u prezantuar qytetarëve axhendën e qeverisë.
Për monarken 95-vjeçare kjo ishte dalja e parë publike pas gati një muaji prej ndarjes nga jeta të bashkëshortit, Filip.
Për shkak të pandemisë, ceremonia hapëse e këtij viti ishte e thjeshtë dhe pjesëmarrja, e kufizuar.
Mesazhin e mbretëreshës e ndoqën dhjetëra ligjvënës dhe figurat më kryesore të politikës, lideri i opozitës dhe kryeministri Boris Xhonson.
Mbretëresha Elizabeta e Dytë tha se planet e kryeministrit janë shans historik për vendin.
"Prioriteti i qeverisë time është të rimëkëmb Mbretërinë e Bashkuar nga pandemia, për ta bërë më të fortë, më të shëndetshme dhe më të begatë se më parë. Do të prezantoj nisma për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, lirinë e fjalës dhe baraspeshën midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit; nisma që adresojnë dhunën, ndaj grave e vajzave, dhe mbështetin viktimat; nisma edhe kundër veprimtarive armiqësore të shteteve të huaja."
Programi politik që prezantoi Mbretëresha Elizabeta e Dytë vjen pas zgjedhjeve lokale të javës së kaluar, që u fituan kryesisht nga konservatorët e kryeqeveritarit Xhonson.
Mbretëresha u shoqërua të martën nga Princi Çarls i Uellsit dhe dukesha e tij, ndërsa të ftuarit e tjerë u detyruan të mbanin maska ose të paraqisnin një test paraprak të Covid-19.

