Të shtëna me armë në një shkollë në Rusi, humbin jetën 8 nxënës dhe 1 mësues
Sulmi me armë në një shkollë ruse la të martën të paktën 8 të vrarë, nxënës dhe mësues.
Ngjarja ndodhi në Republikën autonome të Tatarstanit, që është pjesë e federatës ruse.
Autoritetet njoftuan se një 19-vjeçar e nisi sulmin me eksplozivë, përpara se të hapte zjarr në ambientet e shkollës për motive ende të panjohura, rreth orës 10 të paradites.
7 nxënës të klasës së tetë dhe 1 mësues u qëlluan për vdekje ndërsa të tjerë u lënduan në tentativën për t'i shpëtuar plumbave, duke u hedhur nga kati i tretë i godinës.
Me t'u sinjalizuar për ngjarjen, policia ndërhyri duke neutralizuar të riun 19-vjeçar bashkë me armën që e kishte regjistruar në emrin e vet.
Autoritetet tatare thanë se disa fëmijë dhe të rritur po trajtohen në spital për plagët, disa në rrezik për jetën.
Sulmet e armatosura në shkolla janë fenomen i rrallë në Rusi, ndërsa republika e Tatarstanit e shpalli të mërkurën ditë zie.
