Kritika për "Golden Globe": Aktorja Scarlett Johansson akuzon për diskriminim dhe seksizëm

Organizatorët e “Golden Globes” që renditen të dytët për nga rëndësia  pas Çmimeve “Oskar”, janë akuzuar për praktika diskriminuese dhe mungesë profesionalizmi.  Aktorja e famshme Scarlett Johansson, e nominuar deri më tani për pesë “Golden Globe” është shprehur se disa anëtarë të Shoqatës së Shtypit të Huaj të Hollywood-it, prej vitesh kanë kryer edhe ngacmime seksuale.

Në një deklaratë për shtyp, 36-vjeçarja ka kërkuar gjithashtu edhe nga aktorët e tjerë që të bojkotojnë organizatën deri sa të bëhen ndryshime rrënjësore në këtë drejtim.

Deklarata e Johanson u mbështete dhe nga ylli i Avengers, Mark Ruffalo, i cili është shprehur se prej vitesh shumë aktorë nuk janë krenarë apo të lumtur për përzgjedhjen që bën kjo shoqatë.

"Tani është koha për të rritur dhe për të korrigjuar gabimet e së kaluarës," tha ai.

"Sinqerisht, si një fitues i fundit i një Globi të Artë, nuk mund të ndihem krenar ose i lumtur që jam i përzgjedhur i këtij çmimi."

Pas kritikave, Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollywood-it publikoi një paketë reformash. Ato përfshijnë zgjerimin e anëtarësisë së saj, me theks në rekrutimin e anëtarëve me ngjyrë dhe punësimin e këshilltarëve të diversitetit.

"Vota e sotme dërrmuese për të reformuar Shoqatën riafirmon angazhimin tonë për të ndryshuar," tha presidenti i HFPA Ali Sar, në një deklaratë.

Reformimi pason një hetim të botuar në shkurt nga Los Angeles Times që vuri në dukje se nuk kishte njerëz me ngjyrë në Bordin e Shoqatës së Shtypit të Hollywood. Pas kësaj, Organizata gjithashtu votoi për të shtuar të paktën 20 anëtarë të rinj nga 87 që janë aktualisht. Ajo është zotuar të rrisë anëtarësinë e saj me 50% gjatë 18 muajve të ardhshëm. Megjithatë shumë figura të profilit të lartë të Hollivudit kanë thënë se iniciativat nuk janë të mjaftueshme.