Makabër në një festë ditëlindje në SHBA, i riu vret 6 persona dhe veten
Një festë ditëlindjeje përfundoi të dielën me 7 viktima në shtetin qendror të Kolorados, në SHBA.
Autori i dyshuar ishte partneri i një vajze që po ashtu u qëllua për vdekje teksa po festonte bashkë me miq, familjarë dhe fëmijë të tjerë.
Policia tha se autori hapi zjarr me të hyrë në banesë, duke vrarë edhe personin që kishte ditëlindjen, përpara se t'i jepte fund vetes.
Njëri prej viktimave i rezistoi fillimisht plagëve por ndërroi jetë pas transportit në spital.
Nuk është bërë i ditur motivi i sulmit dhe autoritetet thonë se detaje të reja mbi viktimat dhe autorin do të japin në vijim të hetimeve.
Ngjarja në qytetin Kolorado-Springs është më e rënda prej vitesh në shtetin amerikan dhe vjen pas një serie masakrash në vend.
Kolorado është shteti ku në muajin mars një person hapi zjarr në supermarket duke vrarë 10 veta, ndërsa masakrat më historike janë ato të vitit 1999 në një shkollë të mesme të qytetit Denver, me 15 viktima, dhe vrasjet e vitit 2012, me 12 viktima brenda një salle kinemaje.

