SHBA:Sulmi kibernetik paralizon furnizimin me naftë, hakerat kërkojnë para

Një sulm kibernetik që ka nxjerrë jashtë linje një nga tubacionet kryesore të naftës amerikane po rrezikon furnizimin e vendit dhe ka detyruar qeverinë të ndërhyjë me urgjencë.

"Naftësjellësi Kolonial" transporton 2,5 milionë fuçi nafte në ditë apo 45 për qind të naftës, benzinës dhe benzolit për SHBA-në Lindore.

Kompania pezulloi punën të Premten pasi hakerët i bllokuan sistemin dhe i paralizuan rrjetin kompjuterik, në këmbim të shumave të parave.

Edhe të Hënën vazhduan përpjekjet për të rikthyer në linjë sistemin e komprometuar.

Situata u reflektua në bursat botërore me rritje të lehtë të çmimit të naftës, me Brentin që ndali në mesditë në vlerën 68,6 dollarë fuçia.

Paraprakisht dyshohet që sulmi të jetë kryer nga grupi "DarkSide", një ekip hakerash profesionistë që në tri vitet e fundit kanë sulmuar disa sektorë të industrisë dhe korporata, duke pretenduar se lekët që kërkojnë si shpërblim nga viktimat shkojnë vetëm për qëllime humanitare.

Grupi mendohet se e ka bazën në një nga vendet sllave pasi nuk sulmon kompani që operojnë në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.