Shkëmbi, trajneri i ri i Dinamos
Pas afro një dekade vuajtesh, Dinamo rikthehet në sallonet e mëdha të futbollit shqiptar. Blutë u pomovuan në kategorinë superiore zyrarisht pas fitores së arritur të dielën në transfertë 2-0 ndaj Vorës.
Me rikthimin në elitë, dhe ndryshimin e presidencës, ku violinë e parë do të jetë Ardian Bardhi, Dinamo ka nisur menjëherë nga puna për sezonin e ardhshëm.
Burime pranë klubit bëjnë me dije për Ora News se trajneri i ri do të jetë Bledi Shkëmbi. Palët kanë gjetur marrëveshjen dhe Shkëmbi së bashku me krahun e tij të djathtë Francesko Vitobelo kanë nisur nga puna për të ideuar skuadrën e sezonit të ri.
Presidenti Bardhi e njeh mjaft mirë Shkëmbin gjatë bashkëpunimit tek Teuta dhe ka vendosur t’ia besoj atij projektin për ta kthyer Dinamon pretendente.
Kjo do të jetë eksperienca e dytë e Shkëmbit në kategorinë superiore, pas aventurës me Teutën për një vit e gjysmë nga qershori i 2018 deri në dhjetor të 2019.
Shkëmbi i drejtoi bregdetarët në 60 takime duke arritur 26 fitore 20 barazime dhe 14 humbje, me një mesatare prej 1.63 pikë për ndeshje.
Sezoni për Dinamon nuk ka përfunduar akoma, pasi do të luajë edhe finalen për kupën e kategorisë së parë me Egnatian, megjithatë presidenti Bardhi ka mbyllur marrëveshjen me Shkëmbin.
Në fakt trajneri korçar është nën kontratë deri në fund të sezonit me Ballkanin, pasi klubi e shkarkoi të enjten e kaluar.
Ekipi nga Suareka u mposhtë 3-2 nga Arbëria dhe doli nga gara për titullin kampion kur në lojën kan mbetur edhe tri ndeshje.


