Asnjë shkarkim, Pirlo drejton Juven edhe ndaj Sassuolos

Një krizë e thellë e tillë për Juventusin nuk ishte parë që në kohën kur Conte mori shumë vite më parë bardhezinjtë nga vendi i shtatë dhe e i dha titullin ndërsa tani “Zonja e Vjetër” po lufton për një vend në Champions League.

Humbja e rëndë 3-0 me Milanin ka sjellë reflektim të madh mes drejtuesve të cilët u mblodhën në “Continassa” për të diskutuar situatën tepër delikate. Janë 3 ndeshje të fundit në Serinë A dhe një finale Kupe për t’u luajtur ndaj Atalantës në një hark kohor tepër të shkurtër dhe diçka e tillë për momentin ka shtyrë drejtuesit të mos bëjnë asnjë ndryshim në stol pasi çdo trajner tjetër do ta kishte të vështirë.

Gjithsesi Igor Tudor është zgjidhja që kanë menduar si trajner i përkohshëm për stolin por Andrea Pirlo u shfaq që në mëngjes në qendrën stërvitore për të drejtuar ekipin. Edhe pas humbjes me Milanin, trajneri bardhezi tha se nuk bën asnjë hap pas por të luftojë deri në fund ndërsa një nga pronarët e Exor, kompanisë që zotëron Juventusin nuk u kursye. “Zgjohuni të gjithë, të shikoj Juventusin kështu më dhemb.

Historia dhe fanella meritojnë respekt”, ishte mesazhi në Twitter i Lapo Elkann ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar.