Pasojat e protestave, Man. United humbet sponsorin dhe 200 mln Paund
Mes tifozëve të Man. United dhe familjes Glazer që zotëron klubin ka një përplasje të forte e cila kulmoi me protestën në “Old Trafford” që shkaktoi edhe shtyrjen e sfidës ndaj Liverpool.
Joel Glazer përmes një letre u përpoq të afronte tifozët duke kërkuar ndjesë për angazhimin dhe rolin e klubit në krijimin e SuperLigës por për tifozët ai projekt ishte vetëm nisja dhe përplasja vjen për shumë arsye.
Ndërkohë që tifozët po ngrenë zërin, ata kanë krijuar një grup “As edhe një cent më shumë” të lancuar në rrjetet sociale ku u kërkohet sponsorëve të Man. United që të mos japin para për klubin.
Teksa presioni është në rritje ndaj Adidas dhe Cadbyru, një sponsor i ri që do të afrohej së fundmi, MyProtein që do të zëvendësonte AON në fanellat e stërvitjes është tërhequr nga vendimi për të firmosur marrëveshjen me drejtuesit e Man. United.
Akordi parashikonte një bashkëpunim 10-vjeçar dhe ne arkën e Man. United do të shkonin 200 mln Paund, ose 20 mln për çdo sezon por tani kompania është tërhequr nga presioni në rritje nga tifozët dhe mediat.
Familja Glazer zotëron që nga viti 2005 Man. United por menaxhimi i tyre është kontestuar gjithmonë nga tifozët pasi janë rritur borxhet por edhe prezenca e anëtarëve të familjes numërohet me gishtat e dorës.
Joel Glazer mungon prej 2 vitesh në “Old Trafford” ndërsa bashkëpronari tjetër, Avram Glazer ka 4 vite që nuk shkel në stadiumin e skuadrës, që për tifozët do të thotë shumë.
