Serë kanabisi në papafingon me qira, pranga kultivuesit, procedohen dy punonjës të OSHEE

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 62-vjeçar në Durrës, i cili banesën e marrë me qira e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Finalizimi i operacionit të koduar "Papafingo", çoi në arrestimin e shtetasit P. Ç.

"Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e marë me qira (papafingo), në lagjen nr. 13, Durrës, u konstatua se ky shtetas e kishte përshtatur banesën,  me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike dhe kishte ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike" njofton policia.

Gjithashtu u proceduan penalisht, për veprën penale "Shpërdorim detyre", shtetasit E. E., 34 vjeç banues në Xhafzotaj dhe S. D., 38 vjeç, banues në Durrës, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, të cilët nuk kanë përmbushur detyrën sipas ligjit, pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë elektrike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë narkotike canabis sativa dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.