“Mourinho mund të bëhet Perandori i Romës”

Ishte ora 15:08 kur në Itali erdhi një lajm bombë, Jose Mourinho te Roma. Një rrufe në qiell për të gjithë tifozët, për ata që e duan dhe për ata që nuk e durojnë më “Special One”.

Pronarët e rinj amerikanë, familja Friedkin bënë goditjen më të rëndësishme që kur morën klubin në dorë dhe një emër si Jose Mourinho vetëm sa e rrit imazhin e verdhekuqve por reagimet ishin të forta dhe t’i marrim me radhë.

Fillimisht portugezi do të përfitojë jo pak por 7 mln euro neto në sezon, pak surprizuese kur mendon që merrte dyfishin te Tottenham por ndërkohë do të marrë edhe një bonus të majmë për shkarkimin nga Spursat. Familja Friedkin i uroi mirëseardhjen trajnerit të ri i cili iu përgjigj pozitivisht dhe në reagimin e parë zbuloi se pasioni i madh i tifozëve romanisë dhe ambicia e fortë e drejtuesve e bindën për të pranuar këtë aventurë të re.

Nga ana tjetër, tifozeria në Itali ishte e ndarë ku më tepër ata të Interit të cilëve u dha Tripletën në 2010 e shikojnë mire këtë zgjedhje në krahasim me një klub tjetër si Milani apo Juventusi.

Diçka të tillë pohoi edhe ish mbrojtësi Materazzi i cili tha se zgjedhja e Mourinhos është e kuptueshme por do të ishte shumë e rëndë nëse do të merrte drejtimin e rivalëve të Milanit apo Juventusit.

Massimo Moratti i cili ishte presidenti i fundit që punoi me Mourinhon në Itali tha se u surprizua për rikthimin e “Special One” e gjithashtu duke parë zgjedhjen e Romës efekti është i pranueshëm dhe kalimi te verdhekuqtë një aventurë interesante.

Faqet e para të shtypit italian dhe botëror i kushtuan një rëndësi të madhe emërimit të Mourinhos te Roma, me superlativa me thumbime e me tituj bombastik, “Mourinho, një Perandor për Romën”.

Do të jetë një sezon shumë interesant ai i ardhshmi dhe madje shumë i fortë po të mendosh që Allegri do të rikthehet te Juventusi, Spalleti do të marrë Napolin, Mourinho te Roma, Conte te Interi dhe Gasperini te Atalanta. Do të jetë një luftë në fushë dhe jashtë saj në kuptimin e vërtetë të fjalës teksa fillimisht Roma po e shijon dhe po përfiton edhe rritjen në bursë me mbi 20% të aksioneve të saj.