Tempora - Blerje votash, padi dhe përdorim i administratës, beteja për 25 prillin zhvendoset në dyert e drejtësisë
Beteja elektorale e 25 prillit vijon në dyert e drejtësisë. 220 padi deri më sot ka depozituar partia demokratike ka në prokuroritë e rretheve, ku 40 prej tyre kanë mbërritur në Prokurorinë e Posaçme SPAK.
Në selinë blu është ngritur grup o posaçëm për të evidentuar çdo parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Si asnjëherë me parë, një numër rekord padish dëshmon për lirinë dhe cilësinë e votës në zgjedhje.
Llojet e padive që demokratët kanë dorëzuar pranë institucioneve të drejtësisë e dëshmojnë inxhinierinë e manipulimit te vullnetit tw zgjedhësve: Kallëzimet e demokratëve kanë nisur që nga kupola e qeverisë socialiste e deri tek çdo funksionar publik.
Partia Demokratike ka dorëzuar padi në SPAK për drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, duke nisur nga Edi Rama, disa ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë.
Në kallëzimin e selisë blu thuhet se të gjithë personat janë kallëzuar për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Efekte Një tjetër padi në SPAK është dorëzuar nga PD kundrejt kryebashkiakut Veliaj, i cili sipas selisë blu ka kryer punime publike në kryeqytet, punime të zhvilluara pa tender dhe pa garë. Demokratët i janë drejtuar SPAK në disa raste për Kryeministrin Rama.
Kryeministri do të përballet me drejtësinë edhe për atë që demokratët e konsiderojnë kërcënim të shefit të qeverisë për mësuesit, infermierët dhe administratën publike me vendin e punës.
Elbasani ishte dhe zona më e nxehtë në këtë fushatë zgjedhore. Mbledhja e kartave të identitetit nga drejtuesit politik të PS në këtë qark është depozituar si padi ne SPAK me akuzën “Për Grup të strukturuar Kriminal” nga Gazmend Bardhi.
Por as kjo padi nuk qetësoi ujërat në këtë qark. Pikërisht mbledhja e kartave të identitetit dhe blerja e votave solli dhe përplasjen më të rëndë në qytetin e Elbasanit ku fatkeqësish humbi jetën një person dhe disa të tjerë u plagosën rëndë
Akuza për krim elektoral kanë vijuar me intensitet edhe pas mbylljes së procesit të 25 prillit. Opozita ka akuzuar Partinë Socialiste për blerje të votave gjatë fushatës elektorale, ku sipas një komunikimi në një grup WhatsApp, pjesëtarë të stafit të ministres Balluku jepnin legalizimin e banesave në shkëmbim të votave.
Akuza e ngritur nga selia blu ishte për “Shpërdorim detyre’, Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “përdorimi i funksionarit publik për veprimtari politike ose zgjedhje” si dhe “Grup të strukturuar Kriminal”.
Kryeministri, ministra, deputete, kryebashkiake, por edhe krerët e njësive administrative presin një vendim nga Prokuroria e posaçme kundër korruptonit me akuzën e krimit zgjedhor.
Kështu edhe kreu i njësisë administrative në Vaqarr është kallëzuar në SPAK nga opozita për veprën penale “krim zgjedhor dhe korrupsion”.
LSI më 29 prill ka depozituar në organet e drejtësisë një kallëzim penal për një nga drejtoreshat e Rilindjes njëkohësisht dhe pjesë e shtabit elektoral të Partisë Socialiste në njësinë numër një.
Zonja në fjalë ka konsumuar veprat penale 326 të Kodit Penal ‘Falsifikim i dokumenteve, rezultateve të zgjedhjeve’ dhe 326/A ‘Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore’.
Video që është filmuar në KZAZ numër 31 është depozituar si prove. Sipas Kodit Zgjedhor asnjë numërues nuk duhet të disponojë stilolaps gjatë procesit të numërimit dhe jo më ta përdorë atë për të cenuar vullnetin e qytetarëve.
Këto janë vetëm disa prej padive që presin në sirtarët e drejtësisë ndërsa vetë opozita paralajmëron se faktet që ata disponojnë mund të çojnë deri në përsëritjen e zgjedhjeve.



