Gashi: Nisma për shkarkimin e Metën alogjike, në 25 prill Rama vrau lirinë dhe Basha shpresën
Në një intervistë për RTV Ora, pedagogu Shpend Gashi u shpreh se nisma për shkarkimin e presidentit nga ana e mazhorancës, jo vetëm është e ngutshme, por edhe alogjike.
Gashi tha se shkarkimi i presidentit mund të bëhet kur është i paaftë mendërisht, ose kur ndërron jetë, jo me akuza nga kryeministri Rama.
Gashi: Nisma për shkarkimin e presidentit nga ana e mazhorancës, jo vetëm është e ngutshme, por edhe alogjike. Në një moment që një parti që i ka të gjitha pushtetet, i vetmi pushtet që mund t'i bëjë ballë është institucioni i presidentit. I vetmi që ka ngelur është presidenca dhe ne si qytetar mendojmë se çfarë do të ndodhë nëse merret edhe ky institucion. Gjuha politika ka degraduar këto vite dhe këtë mandatin e tretë po e shohim atë mbretërimin e Ramës. Ne i dimë të mirat dhe të këqijat e presidentit.
Shkarkimi i presidentit mund të bëhet kur është i paaftë mendërisht, ose kur ndërron jetë. Ne kemi vetëm një president që akuzohet nga kryeministri. Kushtetuta ka 30 vite që shkelet në mënyrë të vazhdueshme. Për mua është e pakuptimtë që të shkarkohet në mandatin e fundit. Në shumë vendime Meta ka pasur të drejtë dhe kemi pasur shkelje kushtetuese, pasi jemi në mungesë edhe të Gjykatës Kushtetuese. Kemi ngelur te SPAK-u, por ky i fundit po i nxjerr defektet e veta, sidomos me çështjet e fundit të vjedhjeve të votave. Ne vuajmë për vullnetin politik të palëve.
Gashi shtoi se në 25 prill Rama vrau lirinë dhe Lulzim Basha vrau shpresën, pasi Basha nuk kapi dot momenti që duhet ta kapë çdolloj makinerie politike, sepse nuk di ta ngasë makinerinë e madhe të PD-së.
Gashi: Rama ndoshta nuk ka mbajtur asnjëlloj premtimi, por e kam marrë pushtetin për herë të tretë duke thënë se do të futet në histori. Meta erdhi nga përplasja me të majtën dhe krijimin e LSI-së. Votat e LSI-së kanë pësuar tkurrje dhe kanë shkuar te PS-ja dhe jo PD-ja. Këtu është bërë si telenovelë me sharja dhe dashuri politike, por duket se populli i ka qejf këto gjëra dhe i voton. Për mua, në 25 prill Rama vrau lirinë dhe Lulzim Basha vrau shpresën. Nuk u kap dot momenti që duhet ta kapë çdolloj makinerie politike, sepse Basha nuk di ta ngasi makinerinë e madhe të PD-së.

