Gjirokastra me numrin më të lartë të vaksinimeve të kryera, ja ku renditet Vlora, Fieri dhe Tirana

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino, thotë se ka filluar të matet  përqindja e mbulesës me vaksina në vend dhe sipas matjes rezulton se Gjirokastra renditet e para deri më sot,për shkak të numrit të lartë të popullatës në moshë të thyer.

Bino shprehet: "Përqindja e mbulesës me vaksina ka filluar të matet dhe është e ndryshme në vende të ndryshme. Gjirokastra është vendi i cili ka mbulesën më të lartë vaksinale, kjo lidhet  edhe me numrin e popullatës në moshë të thyer që ka ky qark. Natyrisht ka qenë një qark i cili ka pasur edhe incidencën më të lartë por ka pasur edhe vdekshmëri. Dhe fakti që ka një përqindje të lartë vaksinimi është një lajm i mirë."

Gjithashtu qarqe me nivel të lartë të vaksinimit, sipas Binos,  janë Vlora dhe Fieri. Tirana nuk mbetet mbrapa, pavarësisht kompleksitetit që ka.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë thotë në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve,se vaksinimi po ecën me ritme të shpejta dhe se strategjia e mbushjes së popullatës me dozën e parë si Mbretëria e Bashkuar  ka rezultuar e suksesshme. Në vend që prej fillimit të fushatës së vaksinimit kanë mbërritur më shumë se 748,400 doza vaksine. Aktualisht janë kryer 537,000 vaksinime,ku rreth 100 mijë qytetarë kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.

"Ne jemi duke matur me saktësi  se çfarë impakti ka vaksinimi në të gjitha grupmoshat, në vdekshmërinë dhe në shtrimet në spitale, duke patur parasysh se vdekjet më të larta janë në popullatat mbi 60 vjeç. Si rezultat i vaksinimeve duket qartë që ka një impakt të vaksinimit në numrin e vdekjeve. Ky është një lajm tepër i mirë në këtë moment. Por impakti që vaksinimi do të ketë në përgjithësi në popullatë do të tregohet në javët në vazhdim. Besoj se deri në fund të vitit, për festat e fundvitit ne do të jemi një vend me mbulesë të lartë vaksinale, për shkak të absosrbimit të vaksinave nga sistemi shëndetësor dhe dhënia e vaksinave si shërbim në qendrat shëndetësore, në pikat e grumbulluara ka bërë që kjo përthithje të jetë shumë e shpejtë. Dhe po të shikoni kjo është arsyeja që,  Shqipëria është një nga vendet e cila quhet si një sukses në lidhje me procesin e vaksinimit."

Në Shqipëri deri më sot janë bërë  640,814 testime nga ku kanë rezultuar pozitivë 131,327 qytetarë dhe 2,402 të vdekur që nga fillimi i pandemisë.