Arrijnë në Kosovë 4,680 dozat e para të vaksinës Pfizer
Ambasada e Austrisë në Kosovë ka bërë me dije se kanë mbërritur 4,680 dozat e para të vaksinës Pfizer pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian dhe Austria do t’i sjellë në Kosovë.
“Ambasada Austriake në Prishtinë është shumë e gëzuar, që sot ka arritur në Prishtinë sasia e parë e 95.000 dozave të vaksinës BionTech/Pfizer, të cilat janë financuar nga Bashkimi Evropian, dhe janë siguruar nga Austria. Me 4.680 dozat që kanë arrit sot ka filluar furnizimi i Kosovës me vaksinat, të cilat do shpërndahen deri në fund të gushtit. Kjo do kontribuoj në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ketë kontingjent e kanë pritur ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë.
“Është madhështore të shohësh se vetëm pak ditë pas paralajmërimit të Ministrit austriak për punë të jashtme Alexander Schallenberg, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe komisionerit Olivér Várhelyi, është realizuar furnizimi me vaksinat mëse të nevojshme kundër Covid. Për Austrinë është nder i veçantë dhe vepër solidarizimi me qytetarët e Kosovës, ta mundësojë transferimin e këtyre dozave; sepse, hapësirat e pambuluara në hartën e vaksinimit, pavarësisht ku janë ato, paraqesin rrezik për të gjithë ne. Nuk duhet të harrojmë se askush nuk është i sigurt, përderisa nuk janë të gjithë të sigurt! Të jeni të sigurt, se Austria ka qëndruar dhe do qëndroj edhe më tej përkrah popullit të Kosovës“, ka deklaruar ambasadori i Austrisë në Kosovë.
