Zjarr në depon e naftës në Ballsh, naftëtari 51-vjeçar pëson djegie në 40% të trupit
Një naftëtar 51-vjeçar është në gjendje të rëndë pasi një zjarr u shfaq në stacionin e pompimit ku ai punonte në Ballsh. Shkaqet e ngjarjes që rrezikoi të prodhojë tragjedi jane ende të paqarta.
Një zjarr përfshiu këtë depozitë nafte në stacionin e pompimit të kompanisë "ANIO", ku një punëtor pësoi djegie të rënda,
Ngjarja u shënua rreth orës 07:30, të 3 majit, në vendin e quajtur “Qafa e Kashit".
Sipas policisë gjatë procesit të punës, në tubacionin e furnizimit ka marrë flakë në sipërfaqe një depo e dekantimit të naftës.
Për pasojë të zjarrit naftëtari Viktor Ballaj, rreth 51 vjeç, mbeti i plagosur.

Sipas burimeve, ai ka pësuar djegie në rreth 40 % të trupit dhe aktualisht ndodhet në Reanimacionin e spitalit të Fierit nën kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së njoftimit në stacionin e kompanisë "ANIO” mbërritën forcat e Policisë, prokurorisë dhe agjencive të tjera që lidhen direkt me monitorimin e punës së kompanive me veprimtari në fushën e naftës.
Siç tregojnë pamjet ata kryen veprime hetimore dhe siguruan prova për të hetuar rasti.

Kompania por dhe autoritetet ndërkohë nuk kanë dhënë asnjë sqarim se si u shfaq zjarri në depozitën e naftës, ku nëse nuk do të ishte vënë nën kontroll në një kohë të shkurtër rrezikonte të krijonte një ngjarje me përmasa të mëdha.


