"Ky s'ishte viti i Juves", Rama: Lum kush është edhe interist edhe socialist

Rënien nga froni të "Zonjës së Vjetër" nuk do ta kishte të lehtë për ta kapërdirë në rrethana të tjera, si një tifoz i zjarrtë i saj.

Por kryeministri Edi Rama është ende nën euforinë e fitores së mandatit të tretë në 25 prill, andaj nuk ka hezituar tu urojë fitoren ndjekësve të tij që bëjnë tifo për Interin.

"Meqë shumë miq tifoza të Interit këtu shkruajnë pse nuk na uron, ja edhe urimi i merituar pas 11 vjetësh, falë këtij juventinit që klith këtu në majë të mullarit. Gëzojeni miq, ky s'ishte viti i Juves po i Partisë Socialiste, kështu që secili gëzimin e vet dhe jemi në rregull. Lum kush është edhe interist edhe socialist këtë herë" shkruan ai në facebook.

Interi u shpall kampion i Italisë për herë të 19 në historinë e klubit zikaltër dhe të futbollit italian duke u bërë edhe skuadra që thyen dhe ndal hegjemoninë e Juventusit.

Këta të fundit kishin 9 tituj radhazi dhe vetëm Interi me Antonio Conten arritën ta ndalin dhe të rikthehen në majën e futbollit italian pas shumë vitesh.