"Nuk ikën pa revolucion demokratik", Lefter Maliqi i bën thirrje opozitës për zgjedhje të parakohshme

Lefter Maliqi, ish-kandidat për deputet i LSI në Berat, i bën thirrje opozitës të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij procesi ishte një krim i mirëfilltë zgjedhor.

Ai kërkon rinumërim të votave, teksa shtoi se Rama nuk ikën pa një revolucion demokratik.

Maliqi: Kemi prova të mjaftueshme, 83 mijë fletë votimi që kanë dalë të pavlefshme duke vendosur kryqe qëllimisht. Këto nuk janë zgjedhje, ky është një krim, këto janë blerje, këtu është mafie. I bëj thirrje Lulzim Bashës të ngrejë popullin, të mos njohin zgjedhjet dhe të të kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Këto lekë që morën shqiptarët ti gëzojnë se janë lekët e tyre të vjedhura në vite dhe ky do të jetë ndëshkimi më i madh për oligarkët. Ky është krim makabër që do ndëshkim. Nëse opozita pranon këtë krim, këtë blerje, këtë manipulim të rëndë elektoral ta gëzojnë Erdoganin dhe Putinin dhe të harrojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Ai gjithashtu ka akuzuar policinë e shtetit si shoqërues të patronazhistëve gjatë fushatës zgjedhore.

Masakra elektorale sipas Maliqit nuk ka ndaluar vetëm me blerjen e votës por dhe tjetërsim e vullnetit të shqiptarëve, referuar numrit të lartë të fletëve të pavlefshme të votimit.