Biletat online, Rama risjell në vëmendje aplikacionin e-Transport: E ardhmja e afërt digjitale

Kryeministri, Edi Rama, ka risjellë edhe njëherë në vëmendje projektin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për digjitalizimin e transportit ndërqytetas, përmes platformës e-Transport.

Në një postim në facebook, Rama shkruan.

"Mirëmëngjes, ja e ardhmja e afërt digjitale e transportit rrugor ndërqytetës përmes e-Transport. Për herë të parë në Shqipëri, kjo platformë inovative do të menaxhojë e monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit, për gati 50 milionë bileta udhëtimi në vit, duke sjellë një përmirësim rrënjësor të eksperiencës së udhëtimit në Shqipëri! Modul biletimi elektronik online (përmes aplikacionit në celular dhe faqes online), në autobus e në stacione, si dhe në agjencitë e udhëtimit. Aplikacioni falas për 520 linja, 242 operatorë dhe 2,282 mjete".

Investimi i rëndësishëm në sektorin e transportit që pritet të përmirësojë jetën e qytetarëve është prezantuar në fund të korrikut të 2020.

Qytetarët do kenë mundësi që të presin biletat online përmes telefonit, të zgjedhin shërbimin më të mirë, të udhëtojnë me më pak kosto.

Projekti do të formalizojë tregun e transportit ç’ ka do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Nga ana tjetër, investimi do të largojë përfundimisht informalitetin në këtë treg duke ndihmuar biznesin e transportit të ulë kostot dhe të rrisë konkurrencën në të mirë të qytetarëve shqiptarë.