Apeli liron kontrollorët e Rinasit nga burgu
Gjykata e Apelit Tiranë ndryshon masën për 3 kontrollorët e Rinasit Flora Ndreca, Muhin Mezini dhe Armando Fezga.
Sipas vendimit të siguruar nga Ora News, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar të paligjshëm ndalimin e tyre dhe ka caktuar arrest në shtëpi për Muhin Mezinin, i cili ndodhet në burg, detyrim paraqitje për Flora Ndrecën për të cilën Shkalla e Parë kishte vendosur ‘arrest shtëpie’ dhe arrest shtëpie për Armando Fezgën, i cili gjithashtu ishte në ‘arrest me burg’.

Gjykata e Tiranës më 10 prill dha masat e sigurisë për 3 kontrollorët ajror të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre pasi nxitën bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit.
Flora Ndrecës i ishte dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie ndërkohë që 2 të tjerët, Muhin Mezini dhe Armando Fezga u lanë në burg. Por mesa duket Gjykata ka vendosur të që t'i lërë të lirë, pasi ka konstatuar se ishte ndalim i paligjshëm.
Këta kontrollorë, së bashku me më shumë se 60 kolegë të tjerë shpallën paaftësi të përkohshme për shkak të stresit që iu ishte krijuar nga ulja e pagave, duke bllokuar aeroportin e Rinasit për më shumë se 24 orë.


