Vlorë, një tjetër qytetar kapet duke fotografuar votën
Një tjetër person është kapur duke fotografuar votën.Ngjarja ka ndodhur pranë shkollës industriale. Komisionerët kanë mbajtur procesverbal.
Ora News mëson se personi i proceduar për fotografim dhe ekspozim të votës në qendrën e votimit nr.4498/1 në zonen e ish-shkollës industriale në Vlorë, Sheme Tare.

Arrestimi i tij nuk është bërë ende pasi ka ikur sapo ka hedhur fletën e votimit në kuti.
Policia në një njoftim për mediat bën me dije se është bllokuar fleta e votimi dhe shpallur në kërkim shtetasi Sheme Tare.
"Më datë 25.04.2021, rreth orës 13:18, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 4498/1, e cila ndodhet në konviktin e shkollës Industriale "Pavarsia", pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.
Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.
Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë së DVP Vlorë kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para, shtetasi Sh. T., pas regjistrimit dhe marrjes së fletës së votimit, dyshohet se ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit, por ka mundur të largohej nga qendra e votimit.
Shtetasit SH. T. i është bllokuar fleta e votimit dhe në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit Sh. T., 54 vjeç, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votës"njoftoi policia.
Më herët PD e Vlorës denoncoi një tjetër qytetar për fotografim të votës në Qendrën e Votimit në shkollën "Ismail Qemali", të cilin tha se do ta kallëzojë penalisht në prokurori.


