"Fotografoi votën dhe u largua me vrap", PD e Vlorës bën denoncimin dhe e referon rastin në Prokurori
Partia Demokratike Vlorë denoncoi fotografimin e votës nga një qytetar. Në një dalje për mediat, PD tha se rastin do ta referojë në prokurori, ndërsa garantoi se do të dokumentojë çdo shkelje gjatë procesit të votimit.
"Jam para jush të denoncoj veprën penale të konsumuar nga një zgjedhës i cili sot në orët e para të mëngjesit gjatë procesit të votimit në Qendrën e Votimit 44/71 në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë ka fotografuar fletën e votimit. Zgjedhësi e ka pranuar dhe këtë ua ka konfirmuar dhe komisionerëve. Duke parë reagimin e tyre është larguar me shpejtësi.
PD Vlorë është informuar për këtë akt dhe i është drejtuar organit të akuzës për të nisur procesim penal ndaj këtij shtetasi. Kjo vepër penale dënohet nga 3 muaj burg në 3 vjet. PD po dokumenton dhe do të dokumentojë çdo shkelje që është duke u zhvilluar gjatë procesit. Vetëm, ju votoni, vetëm ju vendosni, dilni të votoni të gjithë burra, gra, të moshuar. Vota është e shenjtë, duhet të jetë e lirë dhe demokratike. Kjo është dita juaj".
Në KZAZ 86 tek shkolla "Ismail Qemali" në Vlorë gjatë ditës pati dhe tensione deri në konfrontim fizik me duar mes kryetarit të qendrës së votimit dhe një perfaqësuesi të PD-së, për shkak të shoqërimit të votuesve nga dera tek qendra e votimit.

