Vasili: E trajtuan Vlorën si qark të dorës së fundit, sollën banditët dhe batakçinjtë e Astirit dhe Dibrës

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat nga qyteti i Vlorës, u shpreh se PS e ka trajtuar këtë qark si qark të dorës së fundit duke i sjellë banditët dhe batakçinjtë e Astirit dhe Dibrës.

Sipas Vasilit, Vlora nuk do të bëjë kurrë kompromis me këtë poshtërim që i është bërë. 

"Vlorën janë përpjekur ta trajtojnë si qark të dorës së fundit dhe fakti që banditët dhe batakçinjtë e Astirit dhe të Dibrës, të njohur botërisht, t’i sillnin në Vlorë, do të thotë që e kanë ofenduar, e kanë përçmuar, kanë dashur ta poshtërojnë Vlorën, me idenë që çfarëdolloj mbeturine që të biem do të votohet, por Vlora kurrë nuk ka pranuar të ofendohet nga asnjeri, qoftë në historinë e sotme dhe të largët të saj. Ajka e burrave dhe grave ka qenë gjithmonë në Vlorë, që i ka dhënë dhe tonin Shqipërisë.

Kurrën e kurrës nuk mund të bëjë kompromis Vlora me këtë poshtërim që i kanë bërë. Në asnjë qark të Shqipërisë nuk i shpinin dot këto personazhe, në asnjërin prej tyre. Janë refuzuar gjithandej dhe i shkarkuan në Vlorë. Dhe nga sot doja të bëja edhe një apel tjetër të rëndësishëm lidhur me punën e të gjithë administratës shtetërore, por në mënyrë të veçantë Policisë së Shtetit. I bëj thirrje ti bëjë shërbim vetëm e vetëm ligjit. Ligji është shumë i qartë në detyrat e tyre dhe eprorë apo komandantë të marrosur nga Rilindja që mund të guxojnë të japin urdhra të paligjshme, punonjësit e rendit janë në të drejtën e tyre në zbatim të ligjit që të mos i zbatojnë urdhra të tillë. Pasi policia duhet të ketë paanshmëri absolute, nuk duhet të jetë në krah e asnjë partie politike, por të jetë vetëm në krahun e ligjit.

Kështu që çdo lloj provokim, shantazhim, tregim force në mënyrë të pamatur dhe në mënyrë thjeshtësisht të njëanshme vetëm do të përkeqësonte përgjegjësitë individuale të secilit, pasi secili do të përgjigjet individualisht, kush shkel ligjin, e secili do të vlerësohet individualisht për integritetin dhe respektimin e ligjit deri në fund. 25 prilli ka nevojë për klimë të qetë, për një klimë të paqtë, ku të gjithë qytetarët të shprehin vullnetin e tyre të pandikuar nga asgjë dhe të pakërcënuar nga asgjë. Fatin e Rilindjes nuk e ndryshon dot asgjë dhe kjo fitore ka marrë një dimension tillë, ju e patë në Tiranë takimin madhështor, ndonëse shiu dhe koha e keqe ishte si asnjëherë tjetër.

Pra është një vendim pa kthim, që populli ka marrë dhe unë jam i kënaqur që në praninë time në Vlorë, për aq sa kam detyrim dhe mundësi si vlonjat të jem në mbështetje të LSI-së, e kam konstatuar nga plot qytetarë, të njohur, të panjohur, por që sigurisht për shkak të detyrave dhe impenjimeve publike më bëjnë që t’i njoh dhe jam ndjerë si kurrë ndonjëherë më parë.Mua më vjen shumë mirë dhe jam i lumtur si vlonjate që kjo stuhi fitore e ka emrin Vlorë dhe fillon nga Vlora".