PS mbyll fushatën në Tiranë, Rama: Pas asaj që ndodhi dje në Elbasan, më krenar me patronazhistët
Partia Socialiste mbylli sot fushatën elektorale në Tiranë me një miting në sheshin “Skënderbej”.
Në mbi 40 minuta fjalim, Edi Rama u kujdes të sulmonte opozitën dhe kreun e shtetit dhe jo tu tregonte shqiptarëve, programin me të cilin kërkon të qeverisë dhe për një mandat të tretë.
Luli aty është ka dy shtëpi, një e ka pas kryeministrisë: Një, shtëpinë e Saliut ku shkon pra vdes, dhe shtëpinë e Likes ku ha ndonjë shpullë sa herë vdes. Më 25 prill çoni në shtëpi Ilir Metën. Boll! Mjaft! Ilir Meta është turpi ynë!
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te ngjarja e djeshme në Elbasan duke u shprehur se tani është akoma më krenar me patronazhistët.
“Unë kam qenë gjithnjë krenar për patronazhistët, por pas asaj që ndodhi dje në Elbasan unë jam më shumë se kurrë krenarë për ju. Ato bënë çmos që t’ju lëndojnë që t’ju cënojnë, që t’ju dekurajojnë, ata madje bënë çmos që t’ju poshtërojnë, por ka Zot sepse ata që i bënë ato kundër jush, dolën zhveshur, por jo si unë zhveshur se ashtu s’dalin dot ashtu sepse kur i mendoj zhveshur ato…
Por dolën zhveshur në përmasën e karakterit të tyre, pa pasur asnjë pikë turpi, pasi kur Shqipëria u trondit nga humbja e jetës ato morën përsipër të thonë shqiptarëve që e kanë një grup të armatosur të shpërndarë kudo.
Kush nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre dhe të gjithë atyre duhet ti vërë gishtin kokës për fëmijët e tyre”.
Më tej nuk munguan as sulmet për kundërshtarët politikë. Ngjarja e Elbasanit tha, Rama, dëshmoi se PD ka një grup të armatosur të shpërndarë kudo dhe ky episod duhet të zgjojë shqiptarët.

“Pa pasur asnjë pikë turpi, pasi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete morën përsipër të thonë, po ata kanë një grup të armatosur. Të zgjohen e të kujtojnë se në çfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë. Dhe të zgjohen e të kujtojnë se sa herë ka pasur humbje jetësh, sa herë ka pasur plagë të shkaktuara, jo nga Zoti, por nga robi, aspak çuditërisht ato lidhen me ta. Gjithmonë me ta".
Sipas Ramës, opozita është e shkuara ndërsa Partia Socialiste e ardhmja dhe patronazhistët i urdhëroi të trokasin derë më derë.
