Kapi zyrtarët duke shpërndarë zarfa e ushqime në Vaqarr, Meta: E përgëzoj kandidatin Belind Këlliçi, tolerancë zero për krimet zgjedhore!

Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, denoncoi para pak minutash tentativën e përfaqësuesve të Komunës Vaqarr në Tiranë për të shpërndarë ushqime në këmbim të votave.

Këlliçi së bashku me banorët e zonës kanë bllokuar një makinë që kishte brenda ushqime.

Sipas tij, makina është e komunës së Vaqarrit dhe brenda ka qenë djali i xhaxhait të kryetarit të komunës, Gentian Myrto, por që në atë moment ishte zhdukur.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, i cili përgëzon Këlliçin për kapjen në flagrancë të “rilindasve” të Vaqarrit me ushqime dhe zarfa elektorale.

Ilir Meta: E përgezoj kandidatin Belind Këlliçi për kapjen në flagrancë të "rilindasve" të Vaqarrit, me ushqime dhe zarfa elektorale. Opozita duhet të organizohet në mënyrën më të mirë për të parandaluar këto fenomene kriminale elektorale nga të cilat Kryerilindasi nuk shkëputet dot.

As frikësimi dhe as blerja me zarfa dhe ushqime nuk e ndal Triumfin e Demokracisë dhe Sovranit më 25 Prill! Tolerancë zero për krimet zgjedhore!

Ligj special për të përjashtuar përgjithmonë nga administrata vendore dhe qendrore zyrtarët, që konsumojnë krimet zgjedhore.

Mbani shënim çdo emër dhe dokumentoni me foto dhe video cilindo!