Zhvillonin takimet partiake të PD-së, qëllohet me kallashnikov drejt lokalit në Vlorë

Në fshatin Poro të Vlorës mbrëmjen e sotme rreth orës 18:30 ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Sipas njoftimit të policisë, lokali është në pronësi të shtetasit Gjergj Nasi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, ku dy të rinj të maskuar rreth 25 vjeç kanë goditur drejt lokalit me kallashnikov. Brenda lokalit ndodhej pronari dhe një person tjetër.

Burime për Ora News bëjnë me dije se Gjergji Nasi ka pak ditë që ka ardhur nga emigrimi, pasi ka jetuar prej kohësh ne Itali dhe më parë lokalin e administronte i vëllai i tij.

Burime për Ora News gjithashtu bëjnë me dije se në lokal janë zhvilluar takimet e Partisë Demokratike. Nuk dihet nëse shkak për këtë ngjarje janë zhvillimet e takimeve të PD-së.

Drejt lokalit është qëlluar mbi 20 herë.

Mësohet se lokali ishte i vetmi në zonë ku zhvilloheshin takimet e PD-së.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen  e plotë e rrethanave të ngjarjes, si dhe mbledhjen e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.