Audioskandali i Artan Lames, qytetarët të shqetësuar: Procesin e legalizimit e kam nisur prej 30 vjetësh

Pas audio-përgjimit të publikuar dje në media nga kreu i kadastrës Artan Lame të shumtë janë qytetarët që janë të shqetësuar për fatin e tyre .

"Ai ka folur se e ka gjetur popullin të trashë, ne jemi popull budalla dhe tallet me ne Artan Lame, me djersën tonë e të popullit. T'i marrin votat e t'ia fusin mbrapa, t'ia shembin shtëpinë," thotë një qytetar.

Qytetarët mendojnë se projekti i lotit te 4 të Unazës së Madhe  nuk është publikuar për të mbajtur të mbërthyer mbështetësit e  Partisë Socialiste, deri të paktën ditën e zgjedhjeve.

ARRSH ka bërë publik  vetëm një pjesë të këtij projekti duke krijuar dyshime të  arsyeshme tek pronaret  për 100 mijë objektet që janë lënë pa përgjigje.

"Procesi i legalizimit është futur në '96 dhe nuk më ka dalë," thotë banori.

"Ka 30 vjet e kam shtëpinë në proces legalizimi dhe nuk i bëjnë," thotë banori.

Qytetarët thonë se askush nuk i ka informuar as për projektin dhe as për rehabilitimin e hekurudhës dhe as për numrin e banesave që do të shemben për t'i hapur rrugë punimeve.

"Asnjë lloj projekti, asnjë përgjigje. Nuk kemi informacion fare," thotë banori.

"Unë nuk e di as projektin, asgjë çfarë bëjnë ata. Vetëm kanë hall të vjedhin, për këtë popull nuk mendojnë fare," thotë banori.

Një ditë më parë gazetari Artan Hoxha publikoi një bisedë të kreut të kadastrës Artan Lame që theksonte se 100 mijë qytetarëve nuk do t'u thuhet e vërteta për shembjen e banesave, pasi rrezikojnë të votojnë për opozitën.