Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Hajdari: Përplasje mes bandave politike
Kandidatja për deputete, Rudina Hajdari e cilëson ngjarjen e ndodhur sot në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani si politike, dhe i bën thirrje qytetarëve të Elbasanit që të distancohen nga ky model politik.
Hajdari shprehet se politika duhet të shfaqë ide, argumente, vizione dhe jo muskuj, plumba dhe lekë.
"Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë në Elbasan dhe edhe një herë qyteti i Elbasanit është pushtuar nga ankthi dhe pasiguria. Ajo çka është e patolerueshme është që kjo ngjarje ndodh 4 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe fakti që kjo ngjarje ka lidhje me politikën, tregon qartë që është e frymëzuar nga politika. Ajo çka më vjen keq edhe një herë është që politika në vend që të tregoj, të shpalosë ide, argumente, vizione midis tyre ata treguan muskujt, plumbat dhe lekët përballë qytetarëve shqiptarë,. Ky është modeli që unë refuzoj dhe dua t'i bëjë thirrje qytetarëve të Elbasanit që të distancohen nga ky model dhe nuk duhet të kenë frikë nga modeli i vjetër politik. Kjo ngjarje është një ngjarje dhe vrasje politike.
Lexo edhe: Vrasja e Xhuvanit, Policia e Elbasanit bën bilancin: Edhe katër të plagosur. Arrestuam autorin
Nëse ne themi që Elbasani është i damkosur nga krimi i organizuar dhe elementët e krimit të organizuar janë të lidhur me pushtetin dhe politikën atëherë është e qartë që edhe fenomeni i shitblerjes së votës është prezent dhe kjo është një përplasje mes bandave politike, prandaj kemi dhe këtë ngjarje që ka ndodhur sot. Unë e refuzoj këtë lloj modeli dhe dua që dhe qytetarët e Elbasanit ta refuzojnë këtë lloj mënyre sepse nuk bëhet politika në këtë lloj mënyre. "
Pjerin Xhuvani, u ekzekutua mesditën e sotme në Elbasan. 56-vjeçari Xhuvani ka qenë ish-drejtor i Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qytet.