Veliaj tender të ri për Kajmakun, i jep 1.5 milion lekë pa garë për tapet bari

Kompania e ish-kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku i cili akuzohej se nuk kishte deklaruar dënimin në Greqi për përdorim të kartëmonedhave të falsifikuara, vijon të fitojë tendera nga fondet publike.

Kjo gjë në fakt nuk ka ndaluar as në kohën kur Kajmaku ishte në kërkim nga autoritetet.

Në prill të vitit të kaluar biznesi i tij familjar u shpall fitues për blerjen e plehrave kimike, furnitura veterinare, farëra, fidanë e të tjera produkte agro-kulturore me fondin prej 6.2 milionë lekësh.

Procedurë kjo e zhvilluar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit nën drejtimin e Erinda Finos.

Ndërsa po gjykohet ne liri, Agim Kajmaku merr 5 dite para zgjedhjeve  një tjetër tender dhe sërish nga bashkia e Tiranës. 

Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike edhe kontrata më e fundit është nënshkruar nga institucioni nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, me mungesë konkurrence.

Gara për blerjen e tapetit me bar artificial është hapur sërish nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. 

Institucioni i drejtuar Erinda Fino kishte parashikuar fondin limit prej 1.6 milionë lekësh dhe pjesëmarrëse rezulton vetëm subjekti AME 2020 SHPK, pa asnjë konkurrent përballë.

Kjo gjë i ka siguruar në mënyrë automatike fitoren me vlerën e paraqitur prej 1.5 milionë lekësh.

Në dokumentet e tenderit cilësohet se me këtë vlerë kërkohet të sigurohen 2666 metër katror tapet bari me rrjetë brenda, mbi 2 vjeçar dhe me një trashësi prerje 3 centimetra. 

Kompania e Agim Kajmakut u zbulua nga media, vetëm pasi ky i fundit u shpall në kërkim për shpërdorim detyre, në nëntor 2019 dhe u arrestua më pas në korrik të vitit të shkuar në një spital në Tiranë.

Në 30 janar te vitit te kaluar, kompania ndryshoi emrin nga ‘Kajmaku’ në “A.M.E 2020” ndërsa bashkëshortja e tij Merita Kajmaku nuk është më administratore, por vazhdon të jetë ortake në sipërmarrje.