Nuk ndalet “lufta” Rama-Meta, Presidenti: Qytetarët të mprehin sëpatat e surqet për të mbrojtur votën
Lufta politike mes dy zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, po e projekton 25 prillin si një ditë beteje të ashpër mes tyre, duke mos i lënë të qetë qytetarët për të ushtruar votën e tyre në mënyrë demokratike.
Nga njëra anë Kryeministri akuzon Presidentin se po nxit dhunën në prag të zgjedhjeve, ndërsa si kundërpërgjigje Kreu i Shteti i bën thirrje qytetarëve që të mbrojnë votën më çdo formë.
"U bëni thirrje të gjithë grave dhe burrave të Fierit, Mallakastrës, të mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat dhe ti kenë gati për ditën e dielë, po u prek një votë e vetme siç bënë gratë trime të Libofshës në ’94 ashtu do të bëjë i gjithë Fieri dhe Shqipëria me në krye Presidentin. Edi Rama nuk do të gjejë vrimë ku të futet."
Për shkak të mosbesimit tek partia shtet e Edi Ramës, Presidenti, të paktën si premtim publik, e ka vënë veten në rolin e prokurorit, policit dhe ushtarit të parë të Republikës.
"Ky është shtabi i dhunës dhe krimit elektoral, këta i nxit Edi Rama. Do të ketë ligj të posaçëm, çdo njeri në administratën zgjedhore që shkel kodin zgjedhor nuk do të ketë më vend në administratën qëndrore dhe vendore të Republikës së Shqipërisë."
Ramën e garanton se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen në Kavajë, por si një ish-aleat e fton që të shikojë brenda familjes socialiste, pasi kanë nisur pazaret për vota.
"Brenda PS kandidatët kanë filluar të blejnë votat brenda partisë së tyre, mos ja jep këtij po ma jep mua."
Duke i njohur mirë manovrat politike, Ilir Meta akuzon ish-aleatin e tij se po përdor Komitetin Teknik të Ekspertëve për interesa elektorale të PS.
“Ndalimi i votimit të emigrantëve nga Greqia përbën një akt të rëndë, antikushtetues. Arsyetimi i ndalesës së mijëra bashkëatdhetarëve tanë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd, përdorim politik, nga situata e pandemisë nga ana e partisë shtet. Kjo është farsa e turpshme për përfshirjen e diasporës në votime. Jo vetëm nuk po përfshihen të votojnë aty ku janë, por nuk lejohen as të vijnë këtu. Këta po fshehin nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuara nga virusi. I bëj apel urgjent qeverisë, Komitetit të manipuluar të Ekspertëve dhe KQZ të heqë menjëherë këtë ndalesë, që përbën një veprim flagrant antikushtetues”.
Meta tregon që kapuçin e përdor për efekte estetike.
"Unë e përdor kapuçin sepse unë bëj dhe një çikë sauna."