Gjyqtari i Lezhës para vettingut, ndryshoi masën e sigurisë për ish-funksionarin e arrestuar për drogë

Gjyqtari i Lezhës, Ilir Përdeda, doli përpara vettingut. Trupa gjykuese nuk ka konstatuar probleme me pasurinë apo me pastërtinë e figurës. Por pikëpyetje janë ngritur për shkak të disa denoncimeve lidhur me çështje të gjykuara nga Përdeda. Një prej tyre ka qenë dhe ndryshimi i masës së sigurisë të një ish-funksionari të arrestuar për trafik droge në Mirditë në vitin 2016.

Gjyqtari i Lezhës, Ilir Përdeda, doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në vijim të procesit të vettingut.

Në raportin e hartuar nga trupa gjykuese, janë parashtruar pyetje në lidhje me disa denoncime të bëra ndaj këtij gjyqtari për çështje të gjykuara nga ai.

Një prej dosjeve të denoncuara ishte ndryshimi i masës së sigurisë të ish-kryetarit të Komunës Kaçinar në Mirditë, Petrit Bardhi, në vitin 2016.

Ky i fundit u vendos në prangat e policisë pasi në tetor të 2015 u gjet një sasi prej 424 kg kanabis në shtëpinë e braktisur të një të afërmi, ku dyshimet ishin se lënda narkotike i takonte Bardhit.

Në atë kohë zyrtari u vendos në masën e arrestit me burg.

Por vetëm pak ditë pas arrestimit, Bardhit iu ndryshua masa e sigurisë, me pretekstin se ai vuante nga astma dhe siç raportuan mediat në atë kohë, gërhiste natën por edhe për mungesë provash që e implikonin ish-zyrtarin në trafik droge.

Me këto argument Përdeda firmosi masën e arrestit në shtëpi.

Ndaj gjyqtarit Përdeda u drejtuan dhe pyetje lidhur me dy denoncime të tjera, por ai nuk i kundërshtoi duke thënë se çdo ditë që ka marrë ka qenë i drejtë.

Lidhur me dy shtyllat e tjerë të vettingut, pasurinë dhe integritetin profesional, Komisioni nuk ka konstatuar asnjë problematikë.

Të ardhurat e gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij ndër vite, sipas komisionit i justifikojnë pasuritë e Përdedës ndërkohë KLGJ nuk ka konstatuar asnjë çështje ku ai ka pasur konflikt interesi.