Vrasja e Pjerin Xhuvanit në sy të policisë, Ora News zbardh dinamikën e krimit në Elbasan

Një viktimë dhe katër të plagosur, mes të cilëve edhe një efektivë e Policisë së Shtetit ishte bilanci i një përplasje me armë në qytetin e Elbasanit me prapavijë të qartë politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

Viktimë mbeti Pjerin Xhuvani, një personazh i njohur në qytet dhe i akuzuar nga Partia Demokratike si një prej eksponentëve të PS të përfshirë në përplasjen e dhunshme të 14 marsit në Elbasan.

Të plagosurit u identifikuan si Emiljan Prenga 39 vjeçar, Pavlo Vuksani 50 vjeçar, Eltjon Bodinaku 32 vjeçar dhëndëri i Pjerin Xhuvanit.

Nga të shtënat me armë e plagosur ka mbetur dhe efektivja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçare.

Autori i dyshuar i është Arbër Papleka ish efektivi i forcave Speciale të Policisë së Shtetit, i angazhuar me sigurinë në Shtabin elektorale të Partisë Demokratike në Elbasan.

Disa orë pas ngjarjes ai u vetëdorëzua në Tiranë, ndërsa në dëshminë e parë mësohet se deklaroi se kishte vepruar në kushtet  e vetëmbrojtjes pasi qëllua nga pala tjetër.

Ngjarja u shënua rreth orës 14:00 në Lagjen 5 të Elbasanit, pas një konflikti mes dy grupeve që sipas burimeve kishte si shkak akuzën për blerje votash.

Burimet thonë se Papleka dhe persona të tjerë mbështetës të PD kishin dyshime se në automjetin tip mercedenz benz në pronësi të Xhuvanit ishin persona që shpërndanin para në këmbim të votës.

Ndaj pasi i kanë identifikuar i kanë ndaluar për t'i bllokuar deri në momentin e mbërritjes së policisë.

Menjëherë pranë vendit të ngjarjes ka mbërritur patrulla e policisë e lajmëruar nga persona që ishin pranë vendit të ngjarjes. Gjithçka është tensionuar edhe më tej ku dyshimet janë se është qëlluar me armë në të dy palët.

Mësohet se janë më shumë se 10 plumba të gjetur në vendin e ngjarjes.

Nga shkëmbimi i zjarrit, Xhuvani ka humbur jetën menjëherë, ndërsa Dhëndëri i tij, Eltjon Bodinoku ka marrë dy plumba një në bark dhe një në këmbë.

Për shkak të gjendjes shëndetësore ai është nisur drejt spitalit të traumës në tiranë, ndërsa efektivja ka një plumb në këmbë jashtë rrezikut për jetën.

Në vitin 2016 Pjerin Xhuvani u arrestua për skandalin e rimbursimeve të ilaçeve.

Ai u dënua me 3 vjet burg dhe më pas, u la në shërbim prove për dy vjet e gjysmë.

Pas largimit nga LSI, Pjerin Xhuvani, është angazhuar politikisht për një kohë të gjatë me Partine Socialiste.

Viktima në vitin 2014, u lakua për çështjen e Kostandin Xhuvanit, djalit të ish deputetes së PS, Luiza Xhuvani, që u arrestua me akuzën e katër vrasjeve, pasi kishte firmosur një raport të përdorur për lirimin e tij nga arresti për armëmbajtje pa leje në Gjirokastër.

https://youtu.be/ytlYeAsjp1w