Rrugë elektorale në Tiranë, banorët: Punimet vijojnë prej muajsh, ka qenë më e mirë përpara
Nuk janë vetëm rrethet që këto ditë janë përfshirë në ethet e asfaltit elektoral. Në shumë lagje të Tiranës, Bashkia ka ndërhyrë me urgjencë në infrastrukturë, dukshëm me synimin për të marrë sado pak vota.
Rrugë të degraduara prej vitesh. Por duket se tashmë në kohë fushate, Bashkia e Tiranës është sulur për të mbuluar me asfalt çdo gropë të kryeqytetit për të nxjerrë ndonjë votë nga qytetarët.
Mjafton të shohësh në çdo lagje të Tiranës, të cilat deri më dje kanë qenë në gjendje të mjerueshme, tashmë me afrimin e zgjedhjeve ka filluar rregullimi, diku i pjesshëm dhe diku i plotë.
Porcelani është një prej zonave ku Bashkia ka vendosur të ndërhyjë pikërisht pak ditë para 25 prillit.
Banorët vetë shprehen se e kuptojnë që ndërhyrjet kanë qëllim elektoral.
"Ka 3 muaj që kanë filluar dhe nuk po i mbarojnë. Rruga ka qenë e mirë, tani e bën më keq. Rrugicat e lagjeve skandaloze, i shtrojnë për fushatë".
Banorët dëshirojnë që punimet të mbyllen sa më shpejtë, pasi besojnë se pas zgjedhjeve, askush nuk do të kujtohet më për ta.