Banorët e Tiranës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, Veliaj ka zhvilluar 4 tendera me vlerë 6.8 mln lekë

Banorët e Tiranës vazhdojnë të kenë probleme me furnizimin me ujë, për më tepër ai nuk është i pijshëm.

Edhe pse faturat e ujit kanë pësuar rritje, qytetarët e Tiranës detyrohen të blejnë ujin nga autobotet dhe marketet e ndryshme për shkak se është i papastër.

Kjo është një kosto shtesë për konsumatorët, pasi janë taksapagues të rregullt dhe shlyejnë faturat e UKT-së, dhe pse kjo ndërmarrje nuk garanton detyrimet e kontratës që ka me ta.

"E ke komplet ujin pis brenda, nuk përdoret as për gjellë, as për ta pirë," thotë një banor.

"Uji që na vjen ne në shtëpi është i pistë edhe nuk pihet dhe ne e blemë te makinat," thotë një fëmijë.

"Jo nuk kemi 24 orë, me orar e kemi edhe duket llumi në fund," thotë banorja.

"Duke parë gjithë dynjanë që blenë te makina as ne nuk kemi besim, kjo është," thotë banori.

Ndryshe nga çfarë ka deklaruar kryebashkiaku Veliaj për ujë të pijshëm 24 orë, kjo gjë nuk ka ndodhur. Uji te cilin qytetaret e Tiranës nuk e konsumojnë, por e përdorin vetëm për larje, vjen me orar dhe ende përdoren depozitat.

"S'kemi 24 orë, kemi depozitat," thotë banori.

"Jo, ku ka pasur ndonjëherë, s'ka pasur ndonjëherë që të kemi ne. U premtua për depozitat i lanë aty, s'i hoqën," thotë banori.

Nga viti 2018 deri më tani kryebashkiaku Veliaj ka zhvilluar 4 tendera për sigurimin e ujit të pijshëm për institucionin që drejton ,dhe për këtë ka shpenzuar 6.8 milionë lekë.