Meta nga Fieri: Të mos preket asnjë votë! Kryerilindasi kërkon të spostojë vëmendjen me incidente artificiale

Në një prononcim për mediat nga qyteti i Fierit, Presidenti i Republikës Ilir Meta foli mbi incidentin e sotëm mes përfaqësuesve të LSI dhe bashkisë së Fierit lidhur me heqjen e banderolave.

Sipas Metës, duhet të shmanget çdo përplasje e panevojshme, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se kërkon të spostojë vëmendjen me incidente artificiale.

"Një provokim i kryetarit të bashkisë me Policinë Bashkiake, i cili pa lajmëruar, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kodin, ka provokuar LSI dhe kandidatët e saj duke hequr dhunshëm banderolat e vendosura ligjshëm.

Por siç u informova tashmë edhe nga deputetja dhe kandidatja për deputete Kejdi Mehmetaj, ata kanë refuzuar të dialogojnë dhe të bashkëbisedojnë me përfaqësuesit e LSI për këtë çështje. Kjo tregon edhe një herë jo vetëm paligjshmërinë e vendimeve të tyre por edhe qëllimin për të krijuar incidente të paqëna, që mund të çonin dhe në probleme të paqëna.  Kjo është arsyeja pse kam ndërhyrë menjëherë dhe u kam kërkuar përfaqësuesve të LSI të dialogojnë.

Është shumë e rëndësishme të evitojmë çdo përplasje dhe çdo problem, çdo tensionim që provokohet gjithmonë nga Rilindja.

E rëndësishme është që të mos preket asnjë votë në Fier dhe në gjithë Shqipërinë pasi dihet që qëllimi kryesor i kryerilindasit është ky, dhe kërkon të spostojë vëmendjen me incidente artificiale", u shpreh ndër të tjera Meta.