"Konfirmim i sigurtë për PS! Marrin tendera në Bashki!" Veliaj del ‘zbuluar’ nga patronazhistët
Patronazhistët kanë nxjerrë zbuluar kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndryshe nga kryeministri Rama mohoi ekzistencën e databazës së publikuar nga Lapsi.al në serverat e Partisë Socialiste. Nga komentet krah zgjedhësve përveç referencave nga kryebashkiaku flitet edhe për të punësuar në Bashki apo qytetarë që kanë marrë tendera nga bashkia e Tiranës, e për këtë konsiderohen votues të sigurt të Partisë Socialiste.
Pas publikimit të databazës me të dhënat personale të më shumë se 910 mijë zgjedhësve, ashtu siç e ka zakon kur nuk i pëlqejnë faktet, Erion Veliaj sulmoi median që e publikoi duke e konsideruar një media ordinere në krah të opozitës.
“Sot kemi një fakt, që një portal, që është një altopolant, nga më ordinerët e opozitës.”
Ndryshe nga kryeministri Rama, i cili i mori në mbrojtje patronazhistët, Kryebashkiaku mohoi në mënyrë kategorike përdorimin e këtyre të dhënave nga Partia Socialiste.
“Pashë një tabelë Excel të manipulueshme, që nuk është e jona, e cila dhe sot mund të vërë tek emri yt çfarëdolloj nga 12 koalicinet dhe t’i bëjë një fotografi.”
Por nëse hulumtojmë këtë databazë që tashmë është e aksesueshme pothuajse nga të gjithë, dhe ju referohemi fakteve e vërteta qëndron ndryshe.
Siç shikohet nga kjo foto, patronazhistët kanë renditur së paku 16 qytetarë të referuar nga Erion Veliaj si vota të sigurta për Partinë Socialiste.
Jo vetëm kaq, në komentet krah qytetarëve, flitet dhe për individë që punojnë në bashki apo kanë familjarët e tyre aty.
‘I punësuar në bashki anëtar organizatë.’
‘Babi ilirit qe punon ne bashki.’
‘U kontaktua nga G. S. Konfirmoi voten dhe tha qe banon tek njesia 4. Me tha qe jane te PS pasi me permendi M.Ll qe punon ne Bashki, sipas saj.’
‘U kontaktua me A.K, eshte motra e vet dhe burri i punon ne bashki.’
Madje, si votues të sigurtë të Partisë Socialiste janë referuar edhe qytetarët të cilët marrin tendera në Bashki.
‘Kontaktuar nga i deleguari A.A, konfirmim i sigurte PS! Pasi kane edhe biznes ndertimi dhe marrin tendera edhe ne Bashki!’
Rezultatet e kërkimit në databazë nuk përbëjnë më habi dhe i shtohen qindra detajeve të dokumentit, që të çojnë jo vetëm në dyert e selisë së PS-së, por edhe në dyert e Bashkisë së Tiranës.