Kërkonin 1000-1500 euro për pajisjen me leje dhe vizë shqiptare, 3 të arrestuar
Policia e kryeqytetit ka finalizuar operacionin e koduar "Visa” ku ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 3 shtetasve.
Këta persona u kanë premtuar disa shtetasve të huaj me pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave nga 1000 deri 1500 euro.
Të arrestuarit janë të tre banues në Tiranë
Diamanta Çakmak, 39 vjeçe
Emir Altug, 32 vjeç
Argent Disha 36 vjeç
Arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi shtetasja D. Ç. (e dyshuar si organizatore), nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro. - njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pasaporta që i përket një shtetasi të huaj, një vizë e dyshuar e falsifikuar, dy aparate celular dhe dokumente të ndryshme në funksion të aktivitetit kriminal."
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve", “Falsifikimi i vulave stampave, formularëve ose vizave”, “Fshehja e të ardhurave" dhe "Shpërdorim detyre”, në ngarkim të 3 shtetasve të lartpërmendur.