Rama prezanton me patronazhistët dhe kërcënon mbështetësit e Bashës: Ju njohim! Meta do dalë i rruar dhe i qethur
7 ditë para zgjedhjeve parlamentare, PS nuk e fsheh se do të përdorë çdo mënyrë dhe burim informacioni për të marrë mandatin e tretë. Në takimin me të rinjtë e Tiranës, që kryesocialisti i quajti patronazhistët e partisë paralajmëroi Metën dhe Bashën që me 25 prill do t’u tregojë të gjithë informacionin që mazhoranca ka për ta.
Si kryeministër, Edi Rama ende nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për shpërndarjen e të dhënave personale të rreth 900 mijë qytetarëve, të cilat pretendohen se kanë dalë nga portali qeveritar e-Albania nëpërmjet PS.
Por si lider i selisë rozë, termin patronazhist po e përdor për të treguar forcën e pushtetit të informacionit mbi kundërshtarët dhe ndaj çdo votuesi.
Rama: E përdorën si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë nëpër Tiranë dhe që monitoron njerëzit. Patronazhisti nuk është një figurë që e shpikëm ne. Është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe historisë së përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës në SHBA. Patronazhisti është ai që angazhohet aty ku jeton dhe ku i kërkonte që të trokasë dhe të kontaktojë me një numër të caktuar familjesh.
Të kontaktojë me një numër të caktuar dhe të mbajë shënim se çfarë perceptimi ka me ato që takon. Janë majtas apo djathtas. Le të thonë se çfarë të duan ata, se atë punë kanë, patronazhimi është klasa e parë e shkollës së madhe politike, ku kush ka ambicien për të shkuar me lartë e fillon nga patronazhimi. Dikush mund të jetë edhe 60 vjeç dhe është patronazhist i familjes së vet.
Madje Rama tregon edhe për patronazhistin më të gjatë dhe më të vjetër në PS.
Rama: PS nuk është Edi Rama, Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë.

Gjatë takimit me të rinjtë e Tiranës, Kryesocialisti në mënyrë ironike tregon mënyrën se si në 2021, PS përndjek këmba këmbes kundërshtarët politik.
Rama: Mesazhi im për ata merren me patronazhistët duke filluar nga Ilir Meta, ku është kamera? Ja, patronazhistëve t’ju merrni të keqen! Mos harroni asnjëherë patronazhistët ju njohin se kush jeni, mos ta çoni në mend që patronazhistëve tanë ua fshini mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush dhe në 25 prill ju do ta shikoni sa mirë ju njohim juve, edhe ju do të habiteni. Kur votat të fillojnë të numërohen ju do ta kuptoni pse ne juve ju kemi mundur, ju mundim dhe do t’ju mundim.
Patronazhistët tanë nuk kanë makina të shtrenjta. Ata kujtojnë se po ikin përpara duke u futur në karvan me Lamborgini dhe duke bredhur në Shqipëri. Patronazhistët tani nuk bredhin, ecin dhe ndalojnë, ecin dhe ndalojnë. Në çdo hap marrin shënim kush je, si e ke emrin, si duket situata, për kë ke votuar më përpara, për kë do të votosh këtë herë, po mami, babi ç’thotë? Kush janë brenda atyre makinave që shoqërojnë Lulin në turin motoçiklistik me katër rrota nga një anë në një tjetër? Janë shqiptarët që nuk kanë bukë, nuk kanë punë, që besojnë te puna, sipërmarrja e tyre e vogël shkolla, gjuhët e huaja, teknologjia, puna me tokën?
Kush janë? Patronazhistët e dinë se kush janë ata. Nuk ka xhama të zinj që ju fshehin sepse sytë e patronazhistëve janë me rreze lazer. U them disa drejtueve të SHIK-ut të kohës, doganave dhe tatimeve të asaj kohe që nuk ka për tu kthyer më në 25 prill, disa shefave të policisë së kohës që i lanë policët rrugëve duke ngrënë fara luleledielli dhe që për vete e përdorën uniformën e policisë për grabitje, ne e dimë që ju jeni në ato makina. I them edhe atij drejtorit të basteve të kohës, bashkë me vullnetarët që kanë humbur licencat e basteve ne ua dimë targën e makinës. Kur them ne, jo regjimi, por patronazhimi.
Por më i humburi nga zgjedhjet e 25 prillit, sipas informacionit që ka Kryesocialisti nga patronazhistët e tij, do të dalë Presidentit Ilir Meta.
Rama: E di shumë mirë çfarë do të ndodhë pas kësaj, mbajeni mend që me të mbaruar kjo do të vijë një klithmë nga Vlora, vetë ai dhe do të thotë po më detyroni të bëj atë që se kam menduar kurrë, të përfshihem në fushatë bashkë me doktorin e madh. Që ti je futur kokë e këmbë në fushatë këtë e di çdo patronazhist, atë që ti nuk di dhe patronazhistët e dinë është që ti do të dalësh nga kjo fushatë i rruar dhe qethur.Prandaj nuk e kupton idhe nuk keni për ta marrë vesh çfarë do të jetë ai breshër votash me 25 prill.