Nga Tropoja e Hajdarit dhe Berishës, Basha shpall kapitullimin e Ramës: Riaktivizojmë rrugën e Drinit, kthejmë shërbimet në Bajram Curr

Nga Tropoja, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se koha e Edi Rama si kryeministër ka mbaruar.

Në sheshin e mbushur plot me qytetarë, mbështetës të PD, Basha tha se nuk ka mbetur shqiptar që nuk e di se pa larguar Edi Ramën ndryshim.

Basha: Kushdo që ushqen më të voglin dyshim, koha e premtimeve të pambajtura ka marrë fund. Koha e Edi Ramës ka mbaruar. Është koha për një qeveri të gjithë shqiptarëve, për një qeveri shërbëtore tuajën.Ora që po afron është më e rëndësishmja, nuk ka shans të dytë.

Basha tha se një javë na ndan nga ndryshimi, ndaj ftesa e tij ishte që të dalin masivisht ne zgjedhje.

Basha: Nga Tropoja e demokracisë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që me zemrat plot guxim, shpresë dhe besim, të kenë friklë vetëm Zotin dhe asgjë tjetër, dhe të dalin për fëmijët e tyre masivisht me 25 prill sepse vetëm kështu do të bëjmë të mundur ndryshimin. Nga maja më e lartë deri në fushat e blerta të Myzeqesë le të dalim masivisht. Sot një javë na ndan nga ndryshimi që ka zbritur në këtë shesh dhe me 25 prill do të jetë në çdo kuti votimi duke votuar numrin 9 për ndryshim.

Basha tha se Tropoja e kreshnikëve,  Sali Berishës dhe Azem Hajdarit, është treva që ka vuajtur më shumë varfërinë dhe emigracionin e të rinjve në këto 8 vite.

Basha: Prej 8 vitesh me radhë ka pllakosur si anembanë vendit një varfëri e skajshme. Në këtë vend që duhet të ishte kryeqendër vitrinë e Shqipërisë, Kosovës, kombit shqiptar, janë larguar më shumë të rinj dhe reja në emigracion sesa në çdo trevë tjetër të Shqipërisë. Ndryshimi i pandalshëm po vjen. 8 vite të gjatë, një dimër pa fund për familjet, sipërmarrjet, fermerët. 8 vite dështime, premtime të pambajtura dhe njeriu përgjegjës për to ka guximin të trokasë prapë dhe të kërkojë katër vite të tjera. Është një mrekulli jo vetëm e Zotit por edhe shpirtit mbijetues të shqiptarëve. Asnjë popull nuk do të kishte qëndruar dot në këmbë pas 8 vitesh rrënim sikur vendi të ishte pa qeveri. Katër vite të tjera si këto që kaluam nuk i pranon dot më asnjë i majtë dhe i djathtë, demokrat apo socialist.

Basha u premtoi tropojanëve se një nga vendimet e para të qeverisë së tij nëse vjen në pushtet pas 25 prillit do të jetë deklarimi nënprefekturë e Tropojës për të kthyer shërbimet pranë qytetarëve si dhe riaktivizimi i rrugës së bregut të Drinit.

Basha: Mbështetje për agrobiznesin, turizmin, rrjetin e energjisë elektrike që jo më kot është lënë pas dore nga korrupsioni dhe babëzia e një njeriu i cili përmes errësirës së shtëpive tuaja do ta kthejë këtë vend në mesjetë. Rikonstruksion i plotë i rrjetit të energjisë elektrike, rikonstruksion dhe ndërtim i infrastrukturës rurale dhe mbi të gjitha riaktivizimi i projektit të rrugës së bregut të Drinit për ta bërë Tropojën siç është, diamanti në mes të një hajmalie të bukur Rrafshit të Dukagjinit, Shkodrës dhe Ulqinit. Ata që 8 vite e lanë këtë vend pas dore, që ua larguan shërbimet, menduan se do të mposhtin shpirtin e pamposhtur të tropojanit.  Sot u them se një nga vendimet e para të qeverisë time do të jetë deklarimi nënprefekturë i Tropojës dhe zhvendosja e shërbimeve këtu në Bajram Curr. Nuk do të udhëtojnë më me dhjetëra kilometra për një dokument, shërbime për njerëzit afër njerëzve. 8 vite të gjatë do të marrin një përgjigje me 25 prill. Do të jenë votimet më  të rëndësishme në historinë e këtij vendi që nga përmbysja e diktaturës dhe ardhja e demokracisë. Ndryshimi është në dorën tuaj, asgjë nuk e ndal më dot verdiktin tuaj.