Plagosje në Sauk, qëllohen kandidati i LSI-së Klodian Doka dhe dy vëllezërit
Kandidati i LSI-së në Tiranë, Klodian Doka, ka mbetur i plagosur së bashku me dy vëllezërit e tij pas një sherri me disa të rinj të tjerë në Sauk.
Ngjarja ka ndodhur në mesnatë pranë zyrave elektorale të LSI-së dhe shkak për përplasjen e tyre sipas policisë është bërë një konflikt për motive të dobëta.
Banorët e zonës së Saukut thonë se tre vëllezërit nuk njihen për persona problematikë.
"Janë çuna të sjellshëm në lagje, janë angazhuar në fushatë dhe i përkrah se i kam komshinj dhe shkojmë mirë me ta."
Policia ka shpallur në kërkim personat me inicialet E. S., 26 vjeç, A. M., 25 vjeç dhe S. K., 34 vjeç dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë për kanosje një tjetër.
Ndërkohë që zyra elektorale e LSI në këtë zonë ishte e mbyllur gjatë të dielës.
Njoftimi i policisë së Tiranës
Më datë 17.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim E. S., 26 vjeç, A. M., 25 vjeç dhe S. K., 34 vjeç, pasi në rrugën "Selim Braja" në Sauk të Vjetër, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit K. D., 30 vjeç, E. D., 23 vjeç dhe R. D., 27 vjeç (vëllezër).
Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar lehtë me sende të forta shtetasit K. D dhe E. D, si dhe është dëmtuar me mjet prerës shtetasi R. D, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi B. H., 36 vjeç, pasi ka kanosur shtetasin K. D.
Punohet për kapjen dhe shoqërimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.