Deputeti Çyrbja kallëzohet në SPAK, Paloka: Kur drejtonte Hikoptekën firmosi mbivendosje pronash
Drejtuesi politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, në konferencën për mediat nga selia e degës lokale të PD, njoftoi se kanë çuar në SPAK deputetin aktual dhe kandidatin Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Çyrbja, ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet nga PD për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.
Në të njëjtën kohë, Paloka tha se edhe javët e fundit Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë çertifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Ndërkohë, sipas nënkryetarit demokrat, i cili kryeson edhe listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Durrësit, po në SPAK janë depozituar kallëzimet penale për drejtuesit e institucioneve vendore në Durrës që janë përfshirë në blerjen e votave, si dhe një seri shtetasit që duke shpërndarë para apo përmes kërcënimeve synojnë të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.
Paloka tha se SPAK, bazuar në Kodin e Ri Zgjedhor, duhet të veprojë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Paloka tha se pavarësisht asaj që do të bëjë SPAK, dosjet janë aty dhe personat që kanë shkelur dhe po shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë.