Finiq/ Fshati me 40 të moshuar, shtëpitë e reja i lanë përgjysmë.. ikën...
Në Çaush nuk ka fëmijë e të rinj, por kanë mbetur 40 banorët e fundit, të gjithë mbi 65 vjeç dhe që përballen me mungesën e shërbimeve .
Në fshatin Çaush të Finiqit, shtëpitë e reja janë të pa përfunduara.
Ata që kanë nisur ti ndërtojnë nuk janë të sigurt a do të kthehen ndonjëherë për të jetuar aty.
''Nuk e kompleton akoma për arsye se nuk është i vendosur të vij tani apo mos të vij. I kërkon kushtet ashtu siç i kërkon atje ku është në emigrim ai.''
Në fshat kanë mbetur pak më shumë se 40 të moshuar mbi 65 vjeç.
''Çdo shtëpi ka nga dy pleq edhe nga një plak.''
Shkolla është mbyllur pasi nuk ka fëmijë! Të rinjtë janë larguar në emigracion apo drejt qyteteve të mëdha.
''Ka jetë këtu ne fshatra? Jo këtu në fshatin tonë por në çdo fshat s'ka jetë për të jetuar këtu andaj jemi ne pleqtë.''
''Njerëzit këtu janë me pakicë, dhe ata që janë, janë të moshës së tretë.''
Të mbetur vetëm, thonë se janë kthyer në prenë e preferuar të hajdutëve.
''Nuk kemi halle vjedhje, kemi hallë kokën. Vjedhjen ç'kemi le ti marrin.''
Mungesa e investimeve u vështirëson jetën banorëve. Rruga që të lidh me qytetin është e amortizuar, kurse rrjeti i energjisë elektrike është tepër i dobët.
''Kur vijnë për të marrë votën, u premtojnë që do ju rregullojnë rrugën?''
"Ashtu na thonë, po tani nuk e di.''
''Që nga gjashtëdhjetë e shtata që është bërë, se nuk vënë dorë më.''
Thonë se në Bashkinë e Finiqit, nuk u janë dëgjuar ankesat asnjëherë. Institucioni i drejtuar nga Kristaq Kiço, ka investuar, për banorët vetëm këto metra rrugë me çakull, në ditë fushate.
''Hodhën dhe pak zhavorr, jo në të gjithë fshatin, atje që do kryetari. Se ai nuk ikën nga neve.''
'' Këtu kanë kaluar me premtime dhe kur vjen puna nuk bëjnë asgjë.''
Afërsia me qendrat urbane dhe natyra piktoreske, nuk e kanë shpëtuar fshatin as këtë fshat në Finiq nga realiteti i hidhur i shpopullimit.