Basha ia mbylli derën, por Rama nga Kamza i përsërit ftesën për bashkëpunim: Jam gati të shkoj përtej ndasive
Edi Rama nuk e ka pritur mirë refuzimin e Lulzim Bashës për të bashkë-qeverisur së bashku pas 25 prillit. Këtij vendimi kryesocialisti i ka dhenë një arsyetim të pritshëm elektoral, që sipas tij kreu i PD nuk mund të mbajë asnjë qëndrim që mund të cenojë Sali Berishën dhe Ilir Metën.
"Përgjigjja e tij është thjesht dhe vetëm pohimi i faktit që ai nuk është një lider, ai nuk është një udhëheqës. Ai është udhë-ndjekësi i Saliut dhe i Ilirit," tha Rama.
Edhe pse nga njëra anë e dëshiron PD të bashkë-qeverisë, nga ana tjetër alternativen e saj e cilëson si një rikthim pas në kohën e firmave piramidale.
"Rapush Xhaferi bashkë me Vebiun e me Suden, sigurisht nën udhëheqjen e Saliut i çuan shqiptarët në marrëzinë që të shisnin bagëtitë, i çuan shqiptarët në marrëzitë që të shisnin shtëpitë, prandaj në 25 prill ose përsëri mbrapsht duke shkuar pas ofertës lek, lek, lek, ose përpara me punë, punë, punë," tha Rama.
Edhe të enjten Lulzim Basha nuk ndryshoi qëndrim duke ja mbyllur derën e bashkëpunimit kundërshtarit politik.
Basha: Dera e shumicës dërmuese të shqiptarëve është e mbyllur ndaj kot jargavitet te dera e PD se nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë bashkëqeverisje me Edi Ramën.
Ftesa e kryeministrit Edi Rama për të bashkëpunuar me kryetarin e opozitës Lulzim Basha vjen vetëm 10 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.