Durrës/ Arrestohet roja private, nuk pa kamerat kur hynë grabitësit për të vjedhur
Policia e Durrësit ka arrestuar një 58 vjeçar i cili akuzohet për veprën penale "Shpërdorim detyre."
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi A. H., 58 vjeç, banues në Durrës, ishte me detyrë roje private dhe operator i monitorimit të kamerave të sigurisë në një kompani private në lagjen nr. 14, Durrës, në pronësi të shtetasit A. D., 29 vjeç.
Gjatë natës, në lagjen nr. 14, Durrës, në ambientet e kësaj kompanie, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi vlere monetare, por shtetasi A. H. nuk ka monitoruar kamerat dhe nuk ka njoftuar Policinë.
Burime për Ora News bëjnë me dije se roja gjatë natës ka qenë në gjumë, ndërkohë që tre persona kanë vjedhur shumën e parave në këtë subjekt.
Kanë qenë tre persona që kanë marrë pjesë në vjedhje, një person ka qenë jashtë duke ruajtur, një tjetër brenda ambienteve dhe i treti ka shkuar tek kasaforta, informon policia.
Shuma e vjedhur ende nuk dihet, por firma po bën bilancin dhe mendohet se varion nga 1 milion- 1.5 milionë të reja, sipas burimeve për Ora News.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme.