Rama: Meta e Berisha morën peng Rinasin, janë gati ta djegin Shqipërinë për interesat e tyre

Kryeministri Edi Rama, vazhdon  të insistoj se për situatën e krijuar në aeroportin e Rinas-it, ku u anuluan fluturimet për 24 orë pasi kontrollorët pezulluan punën, qëndron opozita.

Gjatë një bashkëbisedimi që ka bërë me qytetarët në Sarandë, kreu i qeverisë ka akuzuar Presidetin Ilir Meta dhe Ish- Kryeministrin Sali Berisha, për pengmarrje të Shqipërisë, teksa shton se ata janë gati të djegin vendin për interesat e tyre.

"Çfarë udhëheqësi është Lulzim Basha, që përveçse fle në këmbë dhe flet si një pllakë gramafoni, nuk ka asgjë në dorë. Një kukull e kurdisur, ndërsa udhëheqësit real të asaj opozite janë Saliu dhe Iliri, ata që morën peng aeroportin, ata që janë gati të djegin Shqipërinë për të arritur synimet e tyre. Janë ata që i bashkon një ankth i madh, një pasiguri e madhe e humbjes përfundimtare të influencës së tyre mbi proceset e vendit, e mbi të gjithë mbi procesin e drejtësisë. Këtë e di gjithë Shqipëria, i madh e i vogël, këtë e dinë edhe demokratët.

Me të mbyllur kontratën me aeroportin e Vlorës, ne do të lancojmë kontratën për aeroportin e Sarandës. Pa diskutim që do të jetë një tjetër histori e vështirë suksesi. për pak ditë ne hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Investimet në Aeroportin e Rinasit do të nisin me një ritëm krejt tjetër.

Do të kemi terminalin e ri, pistën, që garantojnë udhëtimet transoqeanike, që të shkojmë e vijmë direkt nga Amerika. Gjatë mandatit të tretë këto aeroporte, së bashku me portet e reja turistike, kemi një hartë komplet tjetër të Shqipërisë, me një mundësi tjetër për të rritur numrin e turistëve, por edhe nivelin konsumator të tyre.

Ne sot jemi në kushtet kur e kemi kaluar fazën e mesjetës në menaxhimin e një pasurie të madhe në një sektor super strategjik si energjia. Tani me investimet e reja e të mëdha ne do të mund të kthehemi në eksportues neto të energjisë, që do të thotë se nuk do të eksportojmë më kur nuk kemi shi, se me ndërtimin e Skavicës, ne do të kemi rezervën e ujit, por as nuk do të derdhim më ujë, kur kemi shi, duke sjellë përmbytje. Ne kemi bërë gabime, por ama është e sigurt se në këtë periudhë prej një mandati e pak dhe një lufte që vazhdon ne kemi vendosur standarde në të gjitha sektorët", tha Rama.