Urdhri i Ballukut/ Kontrollorëve të huaj do t'u njihen menjëherë licencat sipas konventës të Çikagos
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, ka ndryshuar procedurat për certifikimin e punonjësve që do të vijnë nga jashtë, pas situatës që u krijua në aeroportin e Rinasit, ku u bllokuan fluturimet për shkak të grevës që së kontrollorëve.
Sipas Urdhërit të Ministrisë që do të publikohet në Fletoren Zyrtare, kontrollorëve të huaj do t’u njihen licencat sipas konventës të Çikagos.
Ky urdhër i hap rrugë operimit të kontrollorëve të huaj, në pamundësi të personelit rezervë të licencuar vendas për të zëvendësuar punonjësit që ndërprenë punën.
“Kontrollorët e trafikut ajror pajisen me licencë nga AAC-ja. Kërkesat, kriteret dhe procedurat për licencimin përcaktohen me rregullore të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për transportin. 3. Licenca sipas pikës 2 të këtij neni, lëshohet vetëm kur aplikanti për licencë demonstron se ai/ajo përmbush kërkesat thelbësore, që lidhen me njohuritë teorike, aftësitë praktike, aftësitë gjuhësore, përvojën, dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligj.
Pas bllokimit të fluturimeve për më shumë se 24 orë, Tirana International Airport njoftoi se fluturimet e programuara humanitare, mjekësore dhe diplomatike rinisën sot në mëngjes. Ende nuk ka një orë të saktë për rifillimin e nesërm të fluturimeve.
Urdhri për njohjen e licencës
Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:
-Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje.
Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.
– Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.
– Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare.