Vrasja e Altin Balliut, Prokuroria kërkon 22 vite burg për Olger Mustafën

Prokuroria e Korçës ka kërkuar 22 vit burgim për Olger Mustafën, personin që në 17 janar 2019 vrau me 4 plumba Altin Ballin.

"Ora News" ka mësuar se përfaqësuesi i Prokurorisë së Korçës, Edmond Shytko, pas shqyrtimit gjyqësor, ka dalë në konkluzionin se Olger Mustafa, personi i pandehur për vrasjen e Altin Balliut, nuk duhet të akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” por për akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Ky ndryshim qëndrimi i prokurorit Shytko për kualifikimin e akuzës, vjen dy vite pas hetimit dhe gjykimit të çështjes penale.

Lexo edhe: Vrasja e Altin Balliut, prokurori ndryshon akuzën në momentin e fundit/ Nga “Vrasje me paramendim” në “Vrasje me Dashje”

Ndër të tjera, prokurori në kërkesën për ndryshimin e akuzës ndaj të pandehurit Olger Mustafa, del kundër vendimit të gjyqtares Sonjela Voskopi, e cila në cilësinë e gjyqtares paraprake ka vendosur në datën 3 mars 2020 që të kualifikojë dhe orientojë gjykimin kundër Mustafës, për akuzën e “Vrasjes me paramendim”.

Nga ana tjetër, i pandehuri Olger Mustafa, ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë, duke pretenduar se ka qëlluar viktimën Altin Balliu, në kushtet e tronditjes së fortë psiqike.