Meta: U kam shkruar Ramës, Ballukut e Albcontrolit për zgjidhje, u kalua në shantazh me shkarkime

Nga Vlora presidenti Meta lidhur me çështjen e bllokimit të aeroportit të Rinasit u shpreh se ai i është drejtuar me shkresa kryeministrisë, ministrisë së Infrastrukturës, Albcontrollit dhe institucioneve ndërkombëtare.

Sipas Metës, ai u ka kërkuar edhe kontrollorëve që të kryenin detyrën e tyre me përgjegjshmëri, pasi kjo është një çështje madhore e sigurisë kombëtare.

Meta shtoi se në raport me këto kërkesa dhe shkresa ministria e Transportit vendosi që të bënte shantazhe me shkarkime nga puna.

Meta: Lidhur me këtë çështje i jemi drejtuar me shkresa kryeministrisë, ministrisë së Infrastrukturës, Albkontrollit dhe institucioneve ndërkombëtare se kjo situatë duhej parë me shumë vëmendje se mund të mbarte rreziqe për qarkullim ajror në vend. Kjo me mos pengimin e lëvizjes që qytetarëve, por edhe sepse do të niste edhe stërvitja e përbashkët e NATO-s.

I kam kërkuar me përgjegjshmëri kontrollorëve që të vazhdonin që të kryenin detyrën e tyre me përgjegjshmëri, pasi kjo është një çështje madhore e sigurisë kombëtare, si dhe në kuadër të detyrave të NATO-s. U kam thënë se duhet të garantohet cilësia e punës në përputhej me standardet ndërkombëtare. U kam thënë se duhet vazhduar puna pavarësisht cenimit të të drejtave të tyre për të gjetur një konsensus.  

Presidenti është interesuar për herë të dytë, por ministria e Infrastrukturës nuk angazhohet për zgjidhjen e situatës, por nisi shantazhimin e kontrollorëve, duke nisur procedurat e shkarkimit të disa prej tyre. Më pas filluan edhe largimet në masë të punonjësve. Unë kam një pyetje për ministren e Transportit. Si shpjegohet që për një çështje kaq të rëndësishme prej 10 muajsh, nuk gjete kohën që të takoheshe me kontrollorët, e trajnuar prej 20 vitesh nga shteti ynë? Si shpjegohet që letrat për koncesionit të Rinasit, pa garë i bëre për një ditë, kur duan një procedurë mbi 6 muaj ose 1 vit?