“Amnesty” kritika Shqipërisë: Qeveria e teproi gjatë pandemisë, u tentua mbyllja e RTV Ora

Qeveria shqiptare e përdori situatën me pandeminë për të abuzuar, qoftë edhe me forcë, me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit.

Raporti i organizatës "Amnesty International" për të drejtat të njeriut për vitin 2020, analizon në mënyrë të veçantë periudhën e pandemisë dhe evidenton Shqipërinë si një nga vendet që vitin e kaluar e teproi me masat kufizuese.

"Mes 31 marsit dhe 23 qershorit, Shqipëria devijoi nga detyrime të caktuara të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Izolimi u zbatua duke përdorur masa të tepruara."

Kritikat i drejtohen me emër edhe kryeministrit Edi Rama, nisur prej kërcënimeve ndaj medieve që nuk ndiqnin vijën e qeverisë në lidhje me raportimet mbi situatën.

Raporti veçon edhe tentativat e autoriteteve shtetërore për të mbyllur radiotelevizionin "Ora".

"Në mars kryeministri kërcënoi me mbylljen e organizatave mediatike nëse 'përhapnin panik' mbi Covid-19... [Qeveria] nuk mori masa të mjaftueshme për të mbrojtur gazetarët dhe informatorët, qoftë edhe punonjës të shëndetësisë, ndonjëherë edhe duke sulmuar kë kritikonte qeverinë për reagimin ndaj Covid-19."

Raporti i "Amnesty Internatonal" shton se gjatë pandemisë vijuan të diskriminohen komunitetet të caktuara, të shtohet dhuna ndaj grave dhe me raste, të përdoret dhunë e tepruar nga policia, siç ndodhi kur u shemb Teatri Kombëtar.

Sipas sekretares së përgjithshme të organizatës me seli në Britani, edhe sistemi shëndetësor nuk iu përgjigj kërkesave të qytetarëve.

"Pandemia tregoi mungesën e investimeve në sistemet publike, sidomos në sistemet shëndetësore. Ajo theksoi faktin se viktimat, sidomos njerëzit që ndërruan jetë, bënin pjesë në grupet më të pambrojtura të shoqërisë," u shpreh sekretarja Agnès Callamard.

Raporti i Amnesty International analizoi 149 shtete, duke dalë në përfundimin se në 2020-ën, pabarazia, diskriminimi dhe represioni shtetëror me justifikimin e kontrollit të pandemisë, ishte një fenomen global.